Vërshimet turbulluan ujin në Gjakovë, KRU shpall tender për klorur hekurit
Pas vërshimeve të fundit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka shpallur tender me vlerë 5 mijë eurosh për furnizim me 6500 kg klorur hekurit (FeCl3) si koagulant për trajtimin e ujit të pijshëm të turbulluar.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka shpallur tender për furnizim me klorur të hekurit – FeCl3, për impiantin e trajtimit të ujit të pijës në Gjakovë.
Tenderi me vlerë prej 5 mijë eurosh synon furnizimin me 6500 kilogramë të këtij koagulanti inorganik trivalent, i cili ndihmon në neutralizimin e grimcave koloidale dhe formimin e flokulave për të reduktuar turbullirën e ujit.
“Lënda e kësaj kontrate është furnizimi me klorur hekuri (FeCl₃), i destinuar për përdorim si koagulant në procesin e trajtimit të ujit të pijshëm. Produkti duhet të jetë në formë të lëngshme, me tretshmëri të plotë në ujë dhe i përshtatshëm për dozimin e kontrolluar në sistemet e trajtimit. Kloruri i hekurit është një koagulant inorganik trivalent, i cili në ujë i nënshtrohet hidrolizës duke formuar hidroksid hekuri Fe(OH)₃, duke mundësuar neutralizimin e ngarkesave të grimcave koloidale dhe formimin e flokulave të dendura e lehtësisht të sedimentueshme. Me realizimin e kësaj kontrate, do kemi cilësi dhe kualitet të ujit sipas standardeve te kërkuara ku do bëhet trajtimi i ujit. Gjithashtu, drejtpërdrejt do kemi menaxhim të mirë të reduktimit të turbullësisë së ujit në parametrat optimal të UA.10 2021, për ujë të pijshëm nga konsumatorët.”
Tenderi nuk mund të ndahet në pjesë dhe ka një kohëzgjatje prej 30 ditësh. Kjo masë vjen si përgjigje ndaj turbullirës së ujit të shkaktuar nga vërshimet e fundit.
Burimi: IndeksOnline


