Maqedonci Takon Komandantët e NATO-s: Fokus te Modernizimi i FSK-së me Sisteme Perëndimore Armatimi
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, takoi Admiralin George M. Wikoff dhe Komandantin e KFOR-it për të diskutuar sigurinë në vend dhe modernizimin e FSK-së me armatim të NATO-s.

Maqedonci Takon Komandantët e NATO-s: Fokus te Modernizimi i FSK-së me Sisteme Perëndimore Armatimi
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në një takim të rëndësishëm krerët kryesorë të sigurisë ndërkombëtare në rajon, ku temë qendrore ishte forcimi i mëtutjeshëm i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe bashkëpunimi i ngushtë me KFOR-in.

Në takim ishin të pranishëm Admirali George M. Wikoff, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, si dhe Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Maqedonci bëri të ditur se biseda u fokusua në situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, duke vënë theksin te rëndësia e stabilitetit.
“Diskutuam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimin e FSK-së dhe bashkëpunimin me KFOR-in. Theksova angazhimin për forcimin e kapaciteteve të FSK-së përmes edukimit të oficerëve sipas doktrinës së shteteve perëndimore si dhe modernizimit me sisteme të armatimit të prokuruara nga shtetet anëtare të NATO-s.”
Sipas ministrit Maqedonci, synimi mbetet i qartë: modernizimi i plotë i forcës në përputhje me standardet e NATO-s, si pjesë e aspiratës legjitime të Kosovës për anëtarësim në aleancën më të madhe ushtarake në botë. Ky proces, sipas tij, realizohet në funksion të sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.


