Zgjedhje

PËRDITËSIM: Rreth 20 komisionerë nuk i përgjigjen ftesës për intervistim, Policia në kërkim të tyre për manipulim votash në Prizren

Rreth 20 komisionerë të KQZ-së nuk i janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë dhe Policisë për intervistim në hetimet për manipulim votash në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Prizren. Policia është vënë në kërkim të tyre. Mbi 60 të tjerë janë intervistuar, disa pritet të ndalohen për 48 orë.

Nga Admin User
PËRDITËSIM: Rreth 20 komisionerë nuk i përgjigjen ftesës për intervistim, Policia në kërkim të tyre për manipulim votash në Prizren

PËRDITËSIM: Rreth 20 komisionerë nuk i përgjigjen ftesës për intervistim, Policia në kërkim të tyre

Rreth 20 komisionerë të angazhuar në procesin zgjedhor nuk i janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës për intervistim, në kuadër të hetimeve për dyshime të manipulimit të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Sipas burimeve të Betimi për Drejtësi, Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tyre për të siguruar praninë në procedurat hetimore.

Deri më tani, me urdhër të Prokurorisë, janë intervistuar mbi 60 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Disa prej tyre pritet të ndalohen për 48 orë, varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Mbi 100 të ftuar për intervistim

Në total, mbi 100 zyrtarë të KQZ-së janë ftuar për intervistim në kuadër të këtyre hetimeve. Gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, duke përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

Prokuroria ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe ka evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike.

Prokuroria Themelore në Prizren

Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

Konteksti i mëparshëm i hetimeve

Kjo vjen në vazhdimësi të aksioneve të mëparshme policore në Prizren, ku janë arrestuar mbi 100 persona për dyshime në keqpërdorim të votave. Digjital.com do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet.

Kthuni në Faqen e Parë