Plagosja në Deçan, Spitali i Pejës jep detaje: Një person jashtë rrezikut, dy të tjerë dërgohen në QKUK
Tre persona mbetën të plagosur pas mesnatës në një lokal në Deçan. Policia ka arrestuar një të dyshuar, ndërsa dy nga të plagosurit janë transferuar në QKUK.

Detaje nga plagosja në Deçan: Tre të lënduar, njëri po trajtohet në Pejë, dy të tjerë në QKUK
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në një lokal në rrugën "Luan Haradinaj" në Deçan, ku tre persona mbetën të plagosur nga armët e zjarrit. Policia ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 00:18.
Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar se të tre të plagosurit janë dërguar fillimisht në këtë institucion për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit zyrtar, dy nga pacientët janë transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për shkak të natyrës së lëndimeve.
“<blockquote>"Mbrëmë, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë pranuar tre pacientë të plagosur me armë zjarri. Pas dhënies së ndihmës së nevojshme mjekësore, dy pacientë janë bartur për trajtim të mëtejmë në QKUK," thuhet në njoftimin e spitalit.</blockquote>”
Ndërkohë, pacienti i tretë po vazhdon trajtimin në Pejë dhe sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Arrestohet i dyshuari
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se viktimat e këtij rasti janë një shqiptar dhe dy serbë. Policia ka reaguar shpejt duke arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në këtë incident.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, i dyshuari me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes po vazhdojnë.


