Visar Korenica i PDK-së ngrihet tre pozita pas rinumërimit: Votat tona janë vjedhur!
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Visar Korenica, ka ngritur akuza të rënda për vjedhje votash pas rinumërimit të votave, ku pozicioni i tij është përmirësuar me tre vende.

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Visar Korenica, ka reaguar me tone të ashpra ndaj procesit të rinumërimit të votave në zgjedhjet e fundit. Sipas tij, pas rinumërimit të deritanishëm, pozicioni i tij është përmirësuar me tre pozita, çka sipas Korenicës dëshmon qartë për manipulime dhe vjedhje të votave.

Në një postim në Facebook, Korenica shkruan se kjo nuk është vetëm rasti i tij, por edhe i kolegëve të tij në PDK. Ai e quan këtë një 'hajni të qëllimshme brenda subjektit' që po normalizohet në çdo palë zgjedhje, duke dëmtuar demokracinë.
“Nga rinumërimi i votave deri tash, jam ringritë tri pozita ma naltë, çka e dëshmon qartë se votat m’janë vjedhë, jo veç mu, por edhe kolegëve të mi.”
Korenica identifikon tre 'vrasës' kryesorë të dinjitetit të votës: KQZ-në si nr. 1, qeveritë e të gjitha ngjyrave si nr. 2 për mosndërtimin e sistemit të mbrojtjes së votës, dhe disa kandidatë për deputetë si nr. 3 që përfitojnë nga manipulimet.
“Kjo hajni e qëllimshme brenda subjektit ka fillu me u normalizu në çdo palë zgjedhje, tue e vra dhe tue e shkërmoqë atë pak demokraci që e kemi ndërtu me shumë mund e sakrificë. Vrasësi numër 1 i nëpërkëmbjes dhe shkeljes së dinjitetit të votës asht KQZ-ja.”
Ai kërkon rinumërim të plotë të votave dhe vendosje në burg jo vetëm të komisionerëve, por edhe të kandidatëve dhe deputetëve të ardhshëm që kanë lejuar apo mbuluar këto parregullsi.
Ky reagim vjen në mes të tensioneve për rinumërimin e votave në disa komuna, ku janë zbuluar parregullsi të shumta. PDK ka kërkuar hetime të thella dhe rinumërim të gjerë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.