Alarm pas vërshimeve, Zeneli: Rritet rreziku për shëndetin dhe ekosistemin
Profesori Lulzim Zeneli alarmon për rrezikun e sëmundjeve dhe ndotjen e mjedisit pas vërshimeve të fundit në Kosovë.

Rreziqet Shëndetësore dhe Mjedisore pas Përmbytjeve
Kosova po përballet me pasojat e rënda të vërshimeve që goditën shumë komuna ditëve të fundit. Përveç dëmeve të dukshme materiale, ekspertët po japin alarmin për rreziqe të fshehura që mund të shfaqen në ditët në vazhdim, veçanërisht në aspektin e shëndetit publik.

Profesori i kimisë toksikologjike, Lulzim Zeneli, ka theksuar se situata pas vërshimeve kërkon gjithmonë shkallë të lartë alarmimi. Sipas tij, vërshimet nuk sjellin vetëm dëme ekonomike, por një varg problemesh që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.
“Situata pas vërshimeve gjithmonë kërkon një alarmim, për shkak se pos dëmtimeve në aspektin ekonomik, vërshimet sjellin edhe një gamë të madhe të dëme, duke filluar nga ndotja e ujit, pastaj degradimi i tokës, ndotja e ekosistemit, pastaj potencialisht rritet gama për rrezik në shëndet.”
Zeneli shpjegoi se ndotja e ujit të pijshëm dhe degradimi i ekosistemit janë hapat e parë drejt përhapjes së sëmundjeve të mundshme. Ai gjithashtu vuri në dukje se faktori njeri luan një rol kyç në shkaktimin e këtyre katastrofave natyrore, përmes ndërhyrjeve të pakontrolluara në mjedis.


