Politikë

Çka tha vërtet Gërvalla për Gjykatën Speciale? – Publikohen deklaratat e saj të vitit 2016

Rikthehen në vëmendje deklaratat e vitit 2016 të Donika Gërvallës rreth dëshmive në Gjykatën Speciale dhe akuzat ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Panduri publikon intervistën e plotë pas pretendimeve të ministres për manipulim.

Nga Admin User
Çka tha vërtet Gërvalla për Gjykatën Speciale? – Publikohen deklaratat e saj të vitit 2016

Çka tha në vitin 2016? Publikohen deklaratat e Gërvallës për dëshmitë ndaj liderëve të UÇK-së

Diskutimi rreth deklaratave të vjetra të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është rikthyer në qendër të vëmendjes. Gazetari Ermal Panduri ka ripublikuar intervistën e plotë të Gërvallës të dhënë në vitin 2016, ku ajo pretendonte se posedonte dëshmi që lidhnin drejtpërdrejt Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe SHIK-un me krime të caktuara.

Në atë kohë, Gërvalla kishte deklaruar në RTV Dukagjini se kishte dëshmi me shkrim, të ruajtura në "zarfe të mbyllura" në shtëpinë e saj në Bon të Gjermanisë. E pyetur nëse këto dokumente i kishte dërguar në Gjykatën Speciale, ajo asokohe ishte përgjigjur me një "Po" të prerë, duke shtuar se "disa prej tyre po".

Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit

Gjatë intervistës së tetë viteve më parë, Gërvalla kishte përdorur gjuhë të ashpër ndaj krerëve të atëhershëm të shtetit. "Hashim Thaçi e ktheu këtë vend në një qerdhe të krimit të organizuar dhe të korrupsionit," kishte thënë ajo, ndërsa Kadri Veselin e kishte cilësuar si "ish-kokën e një organizate që ka kryer krime të rënda ndaj kundërshtarëve politikë".

Këto deklarata vijnë sërish në dritë pasi vetë Gërvalla së fundmi në një paraqitje televizive në Kanal 10 pretendoi se videoja që qarkullon është e "shkëputur nga konteksti" dhe e manipuluar. Ajo ka kërkuar që videoja të lëshohet deri në fund për të parë të vërtetën.

Panduri: Videoja nuk është prerë nga televizioni

Si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të ministres për manipulim, Ermal Panduri, autor i emisionit "Debat Plus", sqaroi se videoja që qarkullon në rrjete sociale nuk është prerë asnjëherë nga Televizioni Dukagjini. Ai ka shfaqur pamjet hap pas hapi për të treguar rrjedhën e plotë të bisedës së vitit 2016.

Ky ballafaqim me të kaluarën vjen në një kohë kur krerët e UÇK-së po gjykohen në Hagë, duke e bërë temën e "dëshmive" jashtëzakonisht të ndjeshme për opinionin publik në Kosovë.

Artikuj të Ngjashëm

Kthuni në Faqen e Parë