“Gjykim monoetnik e prova të paligjshme” – Letra e plotë e Avokatit të Popullit drejtuar Trendafilovës
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i ka dërguar një letër ashpër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, duke kritikuar mungesën e llogaridhënies, pranimin e provave nga Serbia dhe paraburgimin e zgjatur të ish-krerëve të UÇK-së.

Shqetësimet e Naim Qelajt për Dhomat e Specializuara
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, i ka drejtuar një letër zyrtare kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSHK), Ekaterina Trendafilova, ku shpreh shqetësime të thella lidhur me procedurat gjyqësore që po zhvillohen në Hagë. Në letrën e tij, Qelaj thekson se kjo gjykatë nuk i nënshtrohet asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet e Kosovës.
Mungesa e llogaridhënies dhe "gjykim monoetnik"
Një nga pikat kryesore të letrës është konstatimi se Dhomat e Specializuara operojnë pa mbikëqyrje nga institucionet vendore. Qelaj ngre shqetësime serioze për barazinë para ligjit, duke vënë në dukje se të akuzuarit janë të përbërjes monoetnike. Sipas tij, mënyra se si është ushtruar juridiksioni deri më tani ngre dyshime për paanshmërinë e drejtësisë.

Pranimi i "provave të paligjshme" nga Serbia
Avokati i Popullit ka goditur edhe mënyrën e administrimit të provave. Ai përmend pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendojnë se vijnë nga autoritetet serbe për periudhën pas qershorit 1999, kur funksionimi i gjykatave serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas të drejtës ndërkombëtare. Po ashtu, Qelaj kritikon mbështetjen e gjykatës në "libra të botuar" si materiale provuese, të cilat i konsideron me prag të ulët kredibiliteti.
Paraburgimi i stërgjatur në Hagë
Një tjetër shqetësim i madh është praktika e paraburgimit të zgjatur për të gjithë të akuzuarit. Qelaj thotë se vlerësimi i rrezikut të ikjes si "i lartë" është i paarsyetuar, duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe nuk ka prova për ndërhyrje te dëshmitarët. Ai gjithashtu kritikon monitorimin e rreptë të vizitave familjare dhe komunikimeve.
“Është jashtëzakonisht e pazakontë të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja. Ky model ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural.”
Në përfundim, Qelaj kërkon që kjo letër të shihet si një nismë monitoruese për mbrojtjen e të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, duke shprehur besimin se Gjykata do të sigurojë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.


