DASH sqaron: Pezullimi i vizave nga SHBA nuk vlen për vizat turistike
Departamenti Amerikan i Shtetit sqaron se vendimi i Presidentit Trump për pezullimin e shqyrtimit të vizave emigruese për 75 vende, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, nuk ndikon në vizat turistike apo jo-emigruese.

DASH sqaron: Pezullimi i vizave nga SHBA nuk vlen për vizat turistike
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka dalë me një sqarim të rëndësishëm lidhur me vendimin e Presidentit Donald Trump për pezullimin e shqyrtimit të aplikimeve të vizave emigruese për 75 vende, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
Vendimi, i cili hyn në fuqi nga 21 janari 2026, nuk vlen për vizat turistike apo vizat jo-emigruese të tjera. Ai synon të sigurojë që emigrantët të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë për taksapaguesit amerikanë.
“Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.”
Të prekur janë shtetasit e vendeve si Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe shumë të tjera. Lista e plotë përfshin 75 vende.
DASH sqaron se aplikantët mund të dorëzojnë aplikimet dhe të marrin pjesë në intervista, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet gjatë periudhës së pezullimit.
Shtetasit me dyshtetësi të vendeve jo të listuara janë të përjashtuar nëse aplikojnë me pasaportën e atij vendi. Vizat aktuale të vlefshme nuk janë të prekur.
“Ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.”
Vendimi vjen në kontekstin e politikave të administratës Trump për të kufizuar emigracionin nga vendet me rrezik të lartë.


