Ekspertja e emigracionit sqaron: Cilat viza amerikane pezullohen për shqiptarët nga 21 janari
Avokatja Olsa Alikaj Cano shpjegon në emisionin 'Opinion' se pezullimi i lëshimit të vizave nga Departamenti i Shtetit amerikan prek vetëm vizat emigruese për qëndrim të përhershëm, ndërsa vizat turistike, studentore dhe të tjera joemigrante vazhdojnë normalisht.

Një nga temat kryesore në emisionin “Opinion” të TV Klan-it ka qenë vendimi i Departamentit të Shtetit amerikan (DASH) për pezullimin e lëshimit të të gjitha vizave emigruese për shtetasit e 75 vendeve, duke përfshirë Shqipërinë dhe tre vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga 21 janari.

Në një lidhje direkte nga Shtetet e Bashkuara, avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano ka sqaruar se ky vendim prek vetëm aplikimet për viza emigruese, pra ato që synojnë qëndrim të përhershëm në SHBA, si bashkimet familjare, lotaria e Green Card-it apo disa viza pune të sponsorizuara për qëndrim të përjetshëm.
“"Deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan bën fjalë vetëm për vizat e emigrantëve. Vizat jo-emigrante, nuk janë vetëm ato të turistëve, ka viza fetare, viza të artistëve, të diplomatëve, të vizitorëve... Janë shumë viza jo-emigrante. Ata kanë të drejtë të aplikojnë për viza, këto intervista do vazhdojnë."”
Ekspertja theksoi se vizat joemigrante, si ato turistike (B1/B2), studentore (F/M), pune të përkohshme (H), artistike apo diplomatike, nuk preken nga ky pezullim. Këto viza lejojnë qëndrim të kufizuar dhe kthim në vendin e origjinës pas përfundimit të qëllimit.
“"Vizat e studentëve janë viza jo-emigrante, pra janë të vlefshme. Çdo vizë që është për një periudhë jo të gjatë, pra është e përkohshme... Janë ca viza pune, sigurisht, është një periudhë e vogël që të vish, të punosh pak dhe të kthehesh."”
Sipas saj, aplikimet e pezulluara përfshijnë kryesisht vizat për bashkim familjar (për bashkëshortë, fëmijë, prindër, vëllezër), lotarinë e Green Card-it dhe viza pune të sponsorizuara nga punëdhënës për individë me aftësi të larta.
“"Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti... Vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen."”
Moderatori Blendi Fevziu pyeti për kohëzgjatjen e pezullimit, por ekspertja nuk kishte informacion të saktë, duke shprehur besim se administrata e re do të veprojë shpejt. Ajo lidhi përfshirjen e Shqipërisë me listën e vendeve me rrezik të lartë, ku shtetasit përbëjnë barrë financiare për SHBA-në përmes ndihmave sociale, duke iu referuar një postimi të presidentit Trump ku shqiptarët zinin mbi 45% të listës së 120 vendeve.
“"Lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë... Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%."”
Vendimi ka alarmuar shumë shqiptarë që presin intervista për viza, por sipas ekspertes, procesi për vizat joemigrante vazhdon normalisht.


