KEK: Njësia B1 rikthehet në operim, prodhimi i energjisë në kapacitet të plotë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se Njësia B1 është rikthyer në funksion pas sanimit të defektit, duke mundësuar operimin me kapacitet të plotë të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe stabilitet në sistemin energjetik të vendit.

KEK: Njësia B1 rikthehet në operim, prodhimi i energjisë në kapacitet të plotë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se prej orës 15:00 të sotëm, Njësia B1 është rikthyer plotësisht në operim dhe po funksionon në mënyrë të qëndrueshme, në përputhje me të gjitha parametrat teknikë dhe të sigurisë.
Me rikthimin e Njësisë B1, KEK-u tani operon me katër njësi prodhuese, çka nënkupton arritjen e kapacitetit të plotë të prodhimit vendor të energjisë elektrike. Kjo siguron stabilitet të sistemit elektroenergjetik në Kosovë.
Ndërprerja e përkohshme e kësaj njësie ishte shkaktuar nga rrjedhjet e avullit në sistemin e tubave brenda kaldajës. Problemi u adresua me ndërhyrje teknike profesionale dhe sanime të planifikuara, duke mos rrezikuar sigurinë apo integritetin e njësisë.
Sqarim mbi përgjegjësitë ligjore
KEK-u ka sqaruar se përgjegjësitë në sektorin energjetik janë të ndara me ligj. Që nga viti 2013, korporata është përgjegjëse vetëm për eksploatimin e thëngjillit dhe prodhimin e energjisë elektrike dhe termike. Furnizimi me energji elektrike për konsumatorët e rregulluar i takon kompanisë përkatëse të shpërndarjes.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Kosova po përballet me sfida në furnizimin me energji, por rikthimi i Njësisë B1 kontribuon në përmirësimin e situatës.


