Rizvanolli: Po punohet 24 orë pandalur, nesër kthehen në funksion blloket B2 dhe A3 të KEK-ut
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se aktualisht po operojnë tre njësi të KEK-ut, ndërsa ekipet teknike punojnë 24 orë për rikthimin e bllokëve B2 dhe A3 nesër në mbrëmje. Ajo u bën thirrje punonjësve për angazhim maksimal dhe qytetarëve për kursim energjie.

Rizvanolli: Po punohet 24 orë pandalur, nesër kthehen në funksion Blloku B2 dhe A3
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dalë me një njoftim të rëndësishëm lidhur me situatën energjetike në Kosovë, në kushtet e motit të ftohtë dhe kërkesës së lartë për energji.
Aktualisht, sipas saj, po operojnë tre njësi: B1, A4 dhe A5 të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, duke punuar 24 orë pandalur për të rikthyer në funksion edhe njësitë B2 dhe A3.
“Nga menaxhmenti u njoftova që dy njësitë, B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes së nesërme.”
Rizvanolli ka theksuar se nga KEK-u presin që gjatë kësaj periudhe të ftohtë të punojë me 5 blloqe, ndonëse kjo është sfiduese. Ajo ka falënderuar punonjësit e KEK-ut për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, duke theksuar se TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë për 22 ditë radhazi.
"Për krahasim, për 25 vitet e kaluara KEK ka punuar me 5 njësi vetëm 55 ditë në total," ka shkruar ajo në postimin e saj në rrjetet sociale.
Ministrja ka kërkuar angazhim dhe përgjegjësi maksimale nga menaxhmenti dhe punonjësit e KEK-ut, si dhe furnizim të rregullt me qymyr nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit.
“Njëkohësisht, i ftoj qytetarët të kursejnë energjinë për aq sa është e mundur, veçanërisht në këtë periudhë kur kërkesa është e lartë.”
Kjo njoftim vjen në një moment kritik për sistemin energjetik të Kosovës, ku moti i ftohtë ka rritur ndjeshëm kërkesën për energji elektrike.


