Përditësim: Veselaj-Gutaj akuzon sabotim të shtetit – 'Kjo nuk është demokraci, por sabotim', i hoqen mbi 2 mijë vota pas rinumërimit
Përditësim: Kandidatja e PDK-së Luljeta Veselaj-Gutaj humb mbi 2 mijë vota pas rinumërimit dhe akuzon sabotim të shtetit, duke kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjitha komunat dhe përgjegjësi ligjore.

Përditësim: Veselaj-Gutaj akuzon sabotim të shtetit – 'Kjo nuk është demokraci, por sabotim', i hoqen mbi 2 mijë vota pas rinumërimit
Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka reaguar me indignim pas zhvillimeve në procesin zgjedhor, ku i janë hequr mbi 2 mijë vota pas rinumërimit. Ajo e ka cilësuar këtë si sabotim të shtetit dhe ka kërkuar përgjegjësi të menjëhershme.
Veselaj-Gutaj ka theksuar se ky vit shënon 20-vjetorin e angazhimit të saj politik, por për herë të parë ndihet se integriteti i saj është cenuar nga keqmenaxhimi i procesit.
“20 vjet të jetës sime kam punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet, i cili për herë të parë në jetën time po më cenohet nga individë që procesin zgjedhor e kanë menaxhuar me papërgjegjësi dhe agjenda të panjohura.”
Ajo e ka quajtur tjetërsimin e votës si krimin më të rëndë ndaj demokracisë dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë drejtësi.
“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund assesi të falet.”
Sipas saj, ngjarja nuk është thjesht vjedhje, por sabotim i plotë i shtetit dhe procesit demokratik pas sakrificave të 25 viteve të fundit.
“Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull.”
Veselaj-Gutaj ka kërkuar që të gjithë të implikuarit të vihen para drejtësisë dhe të bëhet rinumërim i votave në të gjitha komunat e Kosovës.
“Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim… duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sillen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat.”
Pavarësisht zhgënjimit, ajo premton të vazhdojë angazhimin politik me të njëjtën përgjegjësi.
“Ndonëse e mllefosur dhe e zhgënjyer me këtë dukuri të shëmtuar, unë do të vazhdoj rrugën time në karrierën politike me plot përgjegjësi, kompetencë dhe integritet.”
Kujtojmë se ish-deputetes së PDK-së i janë larguar mbi 2 mijë vota pas rinumërimit në disa vendvotime. Kjo vjen në kontekstin e dyshimeve të shumta për integritetin e procesit zgjedhor të fundit.


