Të shtëna me armë në një lokal në Deçan: Tre të plagosur, arrestohet i dyshuari
Tre persona kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në Deçan. Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka konfiskuar armën e krimit.

Detaje nga incidenti me armë në Deçan
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në Deçan, ku tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal të qytetit. Policia ka reaguar menjëherë duke arrestuar një person të dyshuar për këtë rast.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, konfirmoi se incidenti ka ndodhur rreth orës 00:18. Sipas tij, njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes kanë gjetur tre persona të shtrirë, të cilët kishin pësuar lëndime nga arma e zjarrit.
“Më datë 13, rreth orës 00:18, policia është njoftuar se në një lokal ka të shtëna me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në një lokal ka vërejtur tre persona të shtrirë, të lënduar nga arma e zjarrit.”
Të plagosurit janë dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Deçan, e më pas janë transportuar për trajtim të mëtutjeshëm në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës.
Sa i përket veprimeve hetimore, Policia ka bërë të ditur se i dyshuari tashmë është në pranga. "Një person i dyshuar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë," shtoi Gashi.
Në vendngjarje janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një armë zjarri dhe një karikator me nëntë fishekë. Hetimet po vazhdojnë nga njësitë kompetente për të sqaruar rrethanat e plota dhe motivet që çuan deri te ky konflikt.


