Skandal në Superkupë: Mbappe nuk lejoi korridorin e nderit për Barcelonën, 'detyroi' shokët të largohen
Kylian Mbappe u bë protagonist i një momenti të tensionuar pas finales së Superkupës së Spanjës, duke i kërkuar shokëve të skuadrës të mos formonin korridorin e nderit për fituesit e Barcelonës.

Mbappe dhe Real Madrid 'injorojnë' protokollin e nderit për Barcelonën
Finalja e Superkupës së Spanjës, ku Barcelona triumfoi 3:2 ndaj Real Madridit, nuk përfundoi vetëm me festën e katalunasve. Një moment i tensionuar gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve ka pushtuar mediat, ku protagonist kryesor doli të jetë Kylian Mbappe.

Sipas rregullave jozyrtare por tradicionale të fair-play-it, pas pritjes që Barcelona u bëri lojtarëve të Realit për të marrë medaljet e vendit të dytë, pritej që edhe 'Los Blancos' të formonin korridorin e nderit për kampionët e rinj. Megjithatë, kjo nuk ndodhi.
Video të shumta që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentin kur lojtarët e Realit, përfshirë portierin Thibaut Courtois, tentuan të qëndronin në fushë për t'i nderuar rivalët e tyre. Ishte Kylian Mbappe ai që ndërhyri, duke u bërë thirrje shokëve të skuadrës që të largoheshin menjëherë drejt zhveshjes.
Ky veprim i yllit francez ka nxitur reagime të shumta. Ndërsa tifozët e Realit e shohin si një shenjë revolte dhe karakteri pas një humbjeje të dhimbshme, ata të Barcelonës dhe ndjekësit e tjerë të futbollit po e kritikojnë ashpër për mungesë respekti dhe "fair-play".
Lojtarët e Realit e dëgjuan dhe u larguan nga fusha, një veprim që u konsiderua si mungesë fair-play dhe u interpretua në mënyra krejtësisht të kundërta nga tifozët e dy klubeve.

