Zyrtare: Real Madridi shkarkon Xabi Alonson
Real Madridi ka njoftuar ndarjen e rrugëve me Xabi Alonson pas humbjes në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës. Alonson e zëvendësoi Ancelottin por nuk arriti të mbijetojë gjatë në postin e trajnerit.

Humbja në Superkupë i kushton me post Xabi Alonsos
Real Madridi ka tronditur botën e futbollit duke njoftuar shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit Xabi Alonso. Vendimi vjen pas një komunikate zyrtare ku thuhet se klubi dhe tekniku spanjoll kanë ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të ndërsjellë.
Ky zhvillim vjen menjëherë pas disfatës në finalen e Superkupës së Spanjës kundër rivalit të përjetshëm, Barcelonës. Në një sfidë dramatike të zhvilluar në Arabinë Saudite, \u201cmbretërit\u201d u mposhtën me rezultatin 3-2, një humbje që duket se ka mbushur kupën për bordin e drejtuesve të klubit madrilen.

\u201cReal Madridi do të jetë gjithmonë shtëpia e tij\u201d
Përkundër ndarjes së rrugëve, Real Madridi ka shprehur mirënjohje të thellë për figurën e Alonsos, duke e cilësuar atë si një legjendë që ka përfaqësuar gjithmonë vlerat e klubit. \u201cXabi Alonso dhe ekipi i tij teknik do të kenë gjithmonë dashurinë dhe admirimin e tifozëve të Madridit,\u201d u tha në njoftimin për shtyp.
Klubi gjithashtu u uroi fat Alonsos në sfidat e radhës në karrierën e tij, ndërkohë që vëmendja tani kthehet nga emrat e mundshëm që do të ulen në stolin e nxehtë të \u201cSantiago Bernabeut\u201d për të udhëhequr ekipin në pjesën e mbetur të sezonit.


