Bedri Hamza bën homazhe në Reçak: Falë sakrificës së të rënëve gëzojmë lirinë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut bashkë me ekipin e tij, duke theksuar rolin e kësaj ngjarjeje në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai falënderoi edhe ambasadorin William Walker për kontributin e tij.

Bedri Hamza bën homazhe në Reçak: Falë sakrificës së të rënëve gëzojmë lirinë
Në Kompleksin Memorial në Reçak, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar homazhe bashkë me ekipin e tij për nder të viktimave të masakrës së Reçakut.
Ngjarja e Reçakut konsiderohet si një nga momentet vendimtare që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Hamza theksoi se kombi shqiptar do të përulet përjetësisht ndaj sakrificës së të rënëve.
““Jemi këtu për të shpreh nderime dhe respektin për këtë ngjarje, për këta të rënë që është një ngjarje, një prej ngjarjeve që ka kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Falënderojmë edhe ambasadorin William Walker që ka dhënë kontributin e tij, e ka bërë publike këtë ngjarje dhe falë sakrificës, jetës dhe gjakut të të gjithë këtyre por edhe ngjarjeve gjithandej Kosovës ne gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë do të shprehim respektin deri në përulësi për kontributin dhe veprën e tyre””
Homazhet u zhvilluan në prag të përvjetorit të 27-të të masakrës së Reçakut, e cila ndodhi më 15 janar 1999 dhe mori jetën e 45 civilëve shqiptarë nga forcat serbe.
Masakra e Reçakut luajti rol kyç në ndërhyrjen ndërkombëtare që çoi në çlirimin e Kosovës. Ambasadori William Walker, shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, ishte i pari që e bëri publike këtë krim barbar, duke ndikuar në vendimin e NATO-s për të nisur bombardimet mbi Serbinë.
Kjo ngjarje vazhdon të jetë simbol i rezistencës shqiptare dhe kujtesës kolektive për krimet e luftës.


