Pas arkivës dhjetëvjeçare, Panduri fton Gërvallën në ballafaqim: “Mbrëmë e pati videon pa prerje, tash radha për debat”
Pas publikimit të intervistës së plotë të dhjetë viteve më parë, Ermal Panduri ka ftuar ministren Donika Gërvalla në një përballje direkte me analistët e Debat Plus.

Panduri fton Gërvallën në ballafaqim publik pas publikimit të arkivës10-vjeçare
Autori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, i ka bërë ftesë zyrtare për debat publik ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Kjo ftesë vjen vetëm një ditë pasi Panduri publikoi një intervistë të plotë të Gërvallës të dhënë për RTV Dukagjinin para dhjetë vitesh, pas një kërkese të vetë ministres.

Në një reagim në rrjetet sociale të martën, Panduri ka theksuar se pasi u plotësua kërkesa e ministres për publikimin e videos “pa prerje”, tani është radha për një ballafaqim të vërtetë argumentesh mes saj dhe analistëve të emisionit.
“E kërkoi ‘videon e plotë deri në fund’. Mbrëmë e pati të plotë. Pa prerje. Tash është koha për ballafaqim!”
Debati rreth arkivës dhjetëvjeçare të ministres Gërvalla ka nxitur diskutime të shumta në opinionin publik, pasi në ato intervista ajo kishte mbajtur qëndrime kritike ndaj figurave që sot bashkëqeveris, si dhe ndaj krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë.
Deri më tani, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë ndonjë sinjal nëse Donika Gërvalla do ta pranojë ftesën për t'u rikthyer në studion e Debat Plus për një përballje direkte.


