Walker: Të rinjtë e Kosovës duhet të informohen vazhdimisht për historinë e vitit 1999
Ish-ambasadori amerikan William Walker thekson rolin e rëndësishëm të mediave në ruajtjen e kujtesës historike për brezat e rinj të Kosovës, të cilët kryesisht nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt vitin 1999.

Ish-ambasadori amerikan dhe miku i madh i Kosovës, William Walker, i ftuar si mysafir special në emisionin Politiko, ka theksuar nevojën urgjente që mediat të luajnë rol kryesor në transmetimin e kujtesës historike te brezat e rinj.

Walker vuri në dukje se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë kosovare, rreth 30-50%, është nën moshën 25 vjeç dhe nuk ka njohuri të drejtpërdrejta për ngjarjet e vitit 1999 dhe periudhën para saj, të cilat ishin vendimtare për fatin e Kosovës.
“Është detyrë e gazetarëve dhe kanaleve televizive që vazhdimisht të flasin për këto ngjarje, në mënyrë që e vërteta historike të përcillet te të rinjtë.”
"Jo duke më ftuar mua, por duke folur vazhdimisht, për të siguruar që të rinjtë e Kosovës të përfaqësojnë atë që Kosova përfaqëson sot për ta", u shpreh Walker në emision.
Ai e cilësoi si thelbësore diskutimin e vazhdueshëm të këtyre temave dhe falënderoi organizatorët e emisionit për ftesën, duke e quajtur një mundësi të vlefshme për të kontribuar në këtë debat të rëndësishëm.
Kjo deklaratë e Walker-it vjen në kontekstin e përkujtimeve të fundit për masakrën e Reçakut dhe ngjarje të tjera të luftës së fundit, duke theksuar nevojën për të mbajtur gjallë kujtesën historike në mesin e brezave të rinj.


