Muhaxheri i LDK-së: S’kemi qëndrim zyrtar për presidentin, pasojmë Abdixhikun
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, flet për qëndrimin e partisë lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe koordinimin me Lumir Abdixhikun.

LDK ende pa një emër, Muhaxheri: Përkrahim qëndrimin e Abdixhikut
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se partia ende nuk ka marrë një vendim zyrtar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Në një prononcim për RTV21, Muhaxheri theksoi se vendimi do të vijë pas mbledhjeve dhe koordinimeve të brendshme që do të mbajë partia.

Muhaxheri, i cili gjithashtu ushtron detyrën e kryetarit të Pejës, la të kuptohet se struktura e partisë dhe Kryesia do të rreshtohen pas qëndrimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, koordinimi i brendshëm është çelësi për unitetin e partisë në këtë proces të rëndësishëm.
“Me siguri kryesia e LDK-së e përkrah qëndrimin e Abdixhikut. Pas mbledhjeve që do t’i mbajë LDK-ja do të vendoset se çfarë qëndrimi do të mbajmë zyrtarisht.”
Lidhur me procesin e formimit të institucioneve, Muhaxheri ishte i qartë se kjo përgjegjësi i takon fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ai deklaroi se partia fituese i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera, duke distancuar LDK-në nga procesi fillestar i formimit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar më herët se emrat e përveçëm nuk duhet t'u imponohen deputetëve dhe se zgjedhja e udhëheqësit të shtetit kërkon një konsensus të gjerë politik, për të siguruar stabilitet institucional.


